Të paktën 19 të vdekur nga një shpërthim në një qendër edukimi në Kabul - NACIONALE

Të paktën 19 të vdekur nga një shpërthim në një qendër edukimi në Kabul

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia në Kabul të Afganistanit ka thënë se të paktën 19 njerëz janë vrarë dhe shumë të tjerë janë lënduar nga një shpërthim që ka ndodhur në një qendër edukimi në kryeqytetin e vendit.

Shpërthimi ndodhi në qendrën edukuese “Kaaj”, në zonën Dashte Barchi, në perëndim të qytetit, raporton televizioni BBC.

Zyrtarët e kësaj qendre thanë se nxënësit ishin duke iu nënshtruar një provimi të praktikës.

Shumë nga njerëzit që jetojnë në atë zonë, janë pjesëtarë të pakicës Hazara, që ka qenë cak i sulmeve në të kaluarën.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se ekipet e sigurisë janë në vendin e ngjarjes dhe e dënoi sulmin.

Talibanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit të kaluar dhe kanë thënë se po mundohen që ta kthejnë stabilitetin në vend. Sidoqoftë, sulmet nga grupi rival, ISIS, kanë vazhduar.

Lajme të ngjashme