Të paktën 16 të vdekur e disa të zhdukur nga rrëshqitja e dheut në Malajzi
Së paku 16 persona kanë vdekur e disa të tjerë janë zhdukur nga rrëshqitja e dheut në një vend për kamping në provincën Selangor të Malajzisë, sipas zyrtarëve të këtij shtetit.
Disa persona që kishin dalë për kamping, ishin duke fjetur në tendat e tyre, kur rreth orës 3 të mëngjesit ndodhi rrëshqitja e dheut në Batang Kali, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta Nacionale.
Më shumë se 90 persona – përfshirë disa fëmijë – ndodheshin në kamp. Qindra pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit qenë në vendin e ngjarjes të premten në mëngjes duke kërkuar nën baltë për ndonjë të mbijetuar.
Të premten pasdite (sipas zonës kohore lokale), autoritetet thanë se kanë shpëtuar mbi 60 persona, por 17 të tjerë ende janë të zhdukur.
Teh Lynn Xuan tha se ajo dhe nëna e saj kanë mbijetuar, por vëllai i saj ka vdekur dhe një tjetër vëlla është dërguar në spital me lëndime.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, pritet të arrijë në vendin e ngjarjes më vonë të premten, pas vizitave të disa ministrave qeveritarë.