“Të barabartë”, MASHTI ndan bursa për komunitetet rom, ashkali e egjitian
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë njoftuar se sot kanë qendruar në Pejë, me qëllim të promovimit të mundësisë për bursa për studentë të komuniteteve egjiptian, ashkali dhe rom për të studiuar në Fakultetin e Edukimit.
Sipas njoftimit nga MAPL tashmë është formuar grupi i përbashkët koordinues për promovimin e edukimit në arsimin e lartë tek komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom, i përbërë nga përfaqësues të MAShTI, MAPL dhe Shoqërisë Civile.
“Ndërkohë që tashmë është formuar Grupi i përbashkët koordinues për promovimin e edukimit në arsimin e lartë te komunitetet ashkali, egjiptianë dhe rom, i përbërë nga përfaqësues të MAShTI, MAPL dhe Shoqërisë Civile. Në takimin e këtij grupi, sot kanë marrë pjesë edhe ministrat Krasniqi e Nagavci, nga ku kanë dhënë mesazhin se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se të dy ministrat kanë zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, me të cilin kanë biseduar për gjendjen në arsimin e kësaj komune, veçanërisht për bashkëpunimin mes nivelit qendror dhe lokal, me qëllim përmirësimin e kushteve për arsimimin e grupeve të margjinalizuara.