Talibanët ua ndalojnë universiteteve librat e shkruar nga gratë
Qeveria e talibanëve në Afganistan i ka larguar librat e shkruara nga gratë nga sistemi i arsimit të lartë në vend si pjesë e një vendimi të ri, me të cilin gjithashtu janë shpallur të paligjshme mësimet rreth të drejtave të njeriut dhe ngacmimit seksual.
Rreth 140 libra të shkruara nga gratë – përfshirë tituj si “Siguria në Laboratorët Kimikë” – ishin në mesin e 680 librave që u cilësuan si “shqetësim” për shkak të “politikave kundër sheriatit dhe talibanëve”, raporton televizioni BBC.
Universiteteve iu tha gjithashtu që nuk u lejohet të ligjërojnë 18 lëndë. Një zyrtar i talibanëve tha se këto lëndë ishin “në konflikt me parimet e sheriatit dhe politikën e sistemit”.
Ky dekret është më i riu në një varg kufizimesh të cilat talibanët i kanë miratuar që nga rikthimi në pushtet para katër vjetëve.
Këtë javë, interneti me fibra optikë u ndalua në të paktën dhjetë provinca me urdhër të liderit suprem të talibanëve. Zyrtarët thanë se qëllimi i kësaj mase është parandalimi i imoralitetit.
Edhe pse rregullat kanë ndikim në shumë fusha të jetës, gratë dhe vajzat janë kufizuar në veçanti: atyre u është ndaluar shkollimi përtej klasës së gjashtë.
Tani janë vënë në shënjestër edhe lëndët universitare për gratë: gjashtë prej 18 lëndëve të ndaluara janë specifike për gratë, përfshirë Gjininë dhe Zhvillimin, Rolin e Grave në Komunikim dhe Sociologjinë e Grave.
Megjithatë, talibanët kanë thënë se i respektojnë të drejtat e grave në pajtim me interpretimin që ata ua bëjnë kulturës afgane dhe ligjit islam.