Tahiri: Urdhëri për listat e grevistëve, shkelje e autonomisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka shkruar në lidhje me vendimin e Ministrisë së Financave dhe Arsimit për pezullimin e pagave për grevistët.
Tahiri ka thënë se kjo është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve.
“'Urdhëri' për Komunat nga Ministria e Financave dhe Arsimit, lidhur me listat e punëtorëve që janë në grevë, është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se autonomia e komunave është e përcaktuar me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale si dhe Kushtetutën e Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ku janë të përcaktuara kompetencat vetanake të komunave.
Ai ka thënë se ngjashëm me këtë, Ministria e Arsimit ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese për rastin e shkollave në Komunën e Kamenicës.
“Në vend të komunikimit, konsultimit dhe bashkëpunimit mes dy niveleve të qeverisjes, shkresat në formë ‘urdhërash’, e konfliktet ndër-institucionale ndërtojnë praktika të rrezikshme”, ka shkruar Tahiri.