Tahiri: Qeveria po grabit të hyrat vetanake të komunave
Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vazhduar kritikat ndaj Projektligjit për Buxhetin për vitin 2023, i cili është miratuar dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se përmes këtij ligji, Qeveria po grabit të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se neni 9 i këtij projektligji nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Qeveria po grabit të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës. Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2023, me nenin 9, pika 6, ka cenuar autonominë financiare të komunave, ku theksohet se të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pa shpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar. Kushtetuta e Kosovës, neni 124, organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale, në pikën 5 përcakton ‘Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin.’ Ky provizion është bartur edhe në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, më saktësisht tek neni 2 Pavarësia Financiare e Komunave, pika 2.1 për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm”, ka shkruar Tahiri.