Tahiri: Qeveria e nisi në mënyrë të gabuar Reformën e Administratës Publike - NACIONALE

Tahiri: Qeveria e nisi në mënyrë të gabuar Reformën e Administratës Publike

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Qeveria e ka nisur në mënyrë të gabuar Reformën e Administratës Publike.

Në një postim në Facebook, ai thekson se vendimi i Qeverisë për krijimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike përbën një devijim nga parimet themelore të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale në administratën shtetërore.

“Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse, rishatazi e themeluar: Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj. Themelimi i një Këshilli të ri ministror për këtë qëllim është i panevojshëm, kur dihet se vetë Kabineti Qeveritar tashmë ekziston si organ kolegjial vendimmarrës”.

“Sygjerimi ynë është forcimi i rolit të kësaj ministrie, e cila me të drejtë është rithmeluar dhe është përshëndetur si hap pozitiv. Mirëpo, me këtë vendim po i zbehet dhe po i shpërndahet përgjegjësia”.

“Kjo nuk është reformë, por regres. Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet dhe llogaridhënia zbehet. Që në start po projektohet dështimi dhe nënvlerësimi i një ministrie kyçe për shtetin. Reforma nuk mund të fillojë mbrapsht!”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme