Tahiri kërkon shkarkimin e ministres Hajdari: Është e dënuar për mosdeklarim të pasurisë
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në seancën e parë të Kuvendit për sesionin vjetor, ai ka thënë se Hajdari është ministrja e parë që po qëndron në pozitë, ani pse është dënuar nga gjykata për mosdeklarim të pasurisë.
Sipas tij, kjo ministre duhet të shkarkohet ose të dorëhiqet.
“Ministrja Hajdari është ministrja e parë në Republikën e Kosovës që e mban Qeveria Kurti, e cila është në detyrë që nuk e ka deklaruar pasurinë, tashmë për këtë ka vendim të gjyqësorit. Asnjëherë në kuvend nuk ka pasur minister që ka qenë në detyrë, i cili është i dënuar për mos deklarim të pasur. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti”, ka thënë Tahri.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk do ta voton asnjë projektligj që vije nga ministrja Hajdari.