Tahiri i përgjigjet VV-së: Frikësohen nga kushtetuta e ligji, janë në panik
Akuzave nga pushteti për dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, i është përgjigjur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri ka shkruar në rrjete sociale se pushteti frikësohet nga ligjshmëria dhe kushtetuta.
Postimi:
Vetëvendosja, pasi ka dështuar në qeverisje në këto tri vjet, paska filluar të mbajë ligjërata koti se si bëhet opozita. Atyre që kanë bërë opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqeka opozita jonë me rrugë institucionale, opozita jonë duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e tyre të mbrapshta. Ata frikësohen nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria prandaj janë në panik.
Në vend që t'i mbajnë ligjërata opozitës, Vetëvendosja duhet ta braktis vetë rrugën e qeverisjes korruptive dhe të dëmshme, pasojat e të cilës sot po i vërejmë me inflacionin dhe varfërimin e qytetarëve dhe nesër do t'i vërejmë edhe më qartë me ikjen masive të qytetarëve nga keqqeverisja e tyre.