Tahiri: Administrata shtetërore në bllokadë, pozitat me ushtrues detyre më nuk kanë mandat - NACIONALE

Tahiri: Administrata shtetërore në bllokadë, pozitat me ushtrues detyre më nuk kanë mandat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se administrata shtetërore është në një bllokadë totale.

Ai ka treguar se kjo ka ndodhur pasi pozitat me ushtrues detyre më nuk kanë mandat.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se vendimet e pozitave me ushtrues detyre tash e tutje janë të kundërligjshme.

“Administrata Shtetërore në bllokadë! Vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik. Çka duhet të dihet: Kohëzgjatjen e funksionit e kufizon ligji, rrjedhimisht nuk ekziston mundësia që me akt nënligjor, siç është vendimi për zgjatje mandati, përtej atij që është shprehimisht i përcaktuar në ligj”, ka shkruar ai.

Për këtë situatë ai ka fajësuar Qeverinë e Kosovës.

Me këto veprime, sipas tij, Qeveria po e shkatërron administratën.

“Andaj, të gjitha vendimet që nënshkruhen nga Ushtruesit e Detyrës të cilët janë në funksion mbi një vit, mund të konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të mos prodhojnë asnjë efekt juridik ndaj palëve. Unë nuk kam asgjë kundër emrave të përveçëm që i bartin këto funksione, por kjo praktikë e shkatërron shërbimin civil duke partizuar e politizuar administratën shtetërore, duke e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e akteve që nënshkruhen nga këta ushtrues detyre”, ka shkruar Tahiri, duke cituar Ligjin për Zyrtarët Publik.

Lajme të ngjashme