Sveçlës i parashkruhet njëra vepër penale, Prokuroria kërkon që ai të dënohet për hedhje të gazit në Kuvend
Prokurori Avni Namani ka kërkuar dënimin e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, në rastin gjyqësor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Në fjalën e tij përfundimtare gjatë seancës që po mbahet sot, ai ka deklaruar bazuar në raportet e ekspertizave, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë.
Prandaj, sipas tij, zyrtari i VV-së duhet të dënohet.
Në adresimin e tij, ai ka bërë me dije Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit.
“E ndryshon dispozitivin e aktakuzës, ashtu që tani duhet të jetë, i pandehuri Xhelal Sveçla, në vitin 2018, në sallën e seancave plenare të Kosovës, gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme plenare, ka përdorur armë, bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të…, në mënyrë frikësuese ndaj deputetëve dhe personave të tjerë në sallë, ashtu që në disa raste gjatë asaj seance e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së seancave plenare pa asnjë paralajmërim paraprak, pa iu lënë atyre mundësi largimi, duke shkaktuar përhapjen e gazit irritues në hapësirën e mbyllur të sallës, në atë mënyrë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin e tyre, janë detyruar që të lëshojnë seancën e Kuvendit dhe seanca është ndërprerë. Ka kryer veprën penale të përdorimit të armës dhe mjetit të rrezikshëm. Prokuroria heq dorë nga vepra për pengim të personit zyrtar për shkak të parashkrimit të kësaj vepre, pjesa tjetër mbetet e njëjtë. Propozoj gjykatës që të pandehurin ta gjejë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha ai.