Sveçla thotë se serbët e Kosovës s'i mbështesin strukturat paralele: Janë pak, do t'i zëmë
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë nisur hetimet ndaj personave që u paraqitën me maska të dielën në veri, duke shtuar se do t’i identifikojnë shumë shpejt.
Sveçla në televizionin publik ka thënë se personat që u paraqitën me maska janë nga Serbia dhe se urdhrat i marrin nga Beogradi.
“Sipas dëshmitarëve, kishin uniforma të zeza, pa shenja, pa logo. Dihet se ata kanë aktivizuar mbrojtjen civile, dihet se një pjesë e tyre nuk janë nga Kosova, por janë nga Serbia. Ata urdhrat i marrin nga Beogradi. Ky është një plan afatgjatë që është realizuar atë ditë. Ata janë futë individualisht, duke qenë se disa prej tyre kanë dy nënshtetësi, janë futë në Kosovë dhe në momentin e caktuar kanë vepruar, gjithmonë duke pasë një organizim ushtarak”, ka thënë ai.
Sveçla tutje ka shtuar se organet e sigurisë po punojnë dhe se është çështje kohe derisa të identifikohen personat në fjalë.
“Kemi angazhim të shtuar të strukturave të sigurisë, në mënyrë që rendi të mbizotërojë dhe drejtësia të vihet në rend. Është e pamundur, që dikush në mënyrë të jashtëligjshme të realizojë dhunë me armë të gjata apo të shkurta, e pastaj të mos ballafaqohet me ligjin në Kosovë. Patjetër (kanë nisur hetimet). Është çështje kohe, derisa t’i identifikojmë këta persona”, tha ai.
Në fund, ministri i Punëve të Brendshme shtoi se nuk bëhet fjalë për një komunitet të gjerë dhe se ky grup, nuk ka mbështetje nga serbët në veri.
“Nuk besoj që është e vështirë, nuk bëhet fjalë për një komunitet të gjerë. Këto struktura nuk kanë mbështetje nga masat e gjera popullore atje. E kemi parë në barrikadat e shtatorit, sa e vështirë ka qenë që qytetarët të dalin në barrikada. Më shumë ka pasë kamionë të kompanive, sesa qytetarë. E njëjta është edhe tash”, ka thënë ai.