Sveçla reagon, thotë se i shkuli mikrofonat për të mirën e qytetit: Sulmon gazetën Nacionale
Asamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas raportimit të Nacionales lidhur me shkuljen e mikrofonave pas miratimit të buxhetit.
Sveçla e ka pranuar se nuk ka vepruar mirë, por po pretendon se e ka bërë për të mirën e qytetit.
Ai e ka sulmuar edhe gazetën Nacionale.
Postimi:
Gënjeshtrat, të pandalshme dhe të përhershme, të gazetës (anti)Nacionale.
Gëzim Sveçla nuk e ka shkulur mikrofonin për të penguar miratimin e buxhetit të Prishtinës, sepse buxheti tashmë ishte miratuar.
Gëzim Sveçla e defunksionalizoi përkohësisht mikrofonin e kryesuesit të kuvendit për të pamundësuar vazhdimin e seancës ku pritej të vihej në votim drafti i Planit Zhvillimor Komunal. Një draft i Përparim Ramës dhe sponsorëve të tij, i cili:
• shndërronte hapësirat e gjelbëra në zona ndërtimi,
• dëmtonte vijat e ujërave të qytetit,
• i jepte qytetit katër milionë metra katrorë beton shtesë,
• dhe prodhonte pasoja të rënda e afatgjata për Prishtinën.
A ishte pamja e mirë? Jo.
A ishte e domosdoshme? Po.
Sepse kur një qyteti i kanoset një dëm i madh, edhe reagimi duhet të jetë proporcional me rrezikun.
Pas atij veprimi protestues, u shtuan zërat nga shoqëria civile, urbanistët, profesionistët dhe subjektet tjera politike që dolën hapur kundër atij projekti të rrezikshëm.
Pra, ndërhyrja ndikoi drejtpërdrejt në mobilizimin qytetar.
Ndërsa moskalimi i buxhetit në Kuvendin Komunal ka qenë thjesht paaftësi politike dhe mungesë numrash nga Përparim Rama dhe LDK-ja. Bllokimi i buxhetit nuk ka qenë as qëllim, as kauzë, as çështje e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ky sqarim është për qytetarët dhe lexuesit e vërtetë.
Sa për gazetën (anti)Nacionale, unë do të filloja të shqetësohesha për veten nëse ndonjëherë do të shkruanin diçka të drejtë, të ndershme apo pozitive për mua ose për subjektin tim politik.