Sveçla për armët e sekuestruara në veri: Do të vazhdohet me çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshmme, Xhelal Sveçla, në kontekst të aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës ku u bastisen shtatë lokacione, në të cikat u sekuestrua një sasi e konsiderueshme e armëve të llojeve të ndryshme, ka zbardhur detaje të reja përmes një postimi në Facebook. Kreu i MBP-së ka thënë se do të vazhdohet me “çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës”.
Detaje të reja vazhdojnë të dalin në dritë në kuadër të sulmit paraushtarak dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator i cili nuk rezultoi thjesht një sulm mbi Policinë e Kosovës.
Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, etj, janë sekuestruar së fundi në lokacionet e bastisura nga Policia e Kosovës, për të cilat ministri Sveçla tha se ishin “prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan”.
“Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.” – tha Sveçla në Facebook.