Sveçla jep detaje për aksidentin në Prizren: Policia dy herë ua parandaloi garën me vetura
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka folur për shumë tema, përfshirë aksidentin në Prizren, ku mbetën të vdekur tre persona.
Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës dy herë ua kishte parandaluar këtij grupi organizimin e garave të tilla.
“Në rastin e të shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim, dhe njërit prej tyre i është konfiskuar patentë shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.
“Me drejtorin e policisë kemi diskutuar për masat që duhet të ndërmerren nga policia në raport me organizmat e garave automobilistike të jashtëligjshme, rritjen e sigurinë në trafik, masat lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimeve të garave të paligjshme”, tha ministri.