Surroi tregohet “modest”: S’kam mendim të elaboruar për draft-statutin e Asociacionit
Veton Surroi, analist dhe shkrimtar, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Zërin e Amerikës”. Ndonëse ka mendim për shumë tema, posaçërisht politike, Surroi, së paku deklarativisht, nuk ka mendim të elaboruar për temën e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I pyetur për këtë temë, Surroi ka deklaruar se s’ka mendim të elaboruar.
“Le të mbetemi fillimisht tek Kosova. Trysnia më e madhe ndaj Kosovës është për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe dhe prej Prishtinës pritet fillimi i këtij procesi. Cili është mendimi juaj për projekt-statutin aktual të propozuar?” – ishte pyetja e Zërit të Amerikës.
Ndërsa përgjigja e Surroit ishte si më poshtë:
“Unë nuk kam mendim të elaboruar rreth projekt-statutit, sepse unë mendoj se projekt-statuti duhet të inkorporohet brenda konceptit të normalizimit si tërësi. Pra, projekt-statuti nuk mund të jetë një entitet i veçantë, një strukturë juridike e veçantë prej strukturës juridike të përgjithshme të Republikës së Kosovës. Dhe për të arritur që të integrohet ideja e statutit të Asocacionit, duhet të integrohet ideja e barazisë mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Pra, Kosova nuk mund të trajtojë çështje të veçanta të marrëveshjes nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen si tërësi.”