Surroi i qartë: Drafti i Asociacionit duhet të dorëzohet në Kushtetuese
Veton Surroi, opinionist dhe këshilltar i jashtëm në Qeverinë e Kosovës, ka shkruar një opinion të titulluar simptomatikisht si “Një rrugë për në Kushtetuese dhe Këshill të Evropës”.
Surroi e bën të qartë qëndrimin e tij. Në shkrimin e tij, Surroi thotë se drafti i “Asociacionit” duhet të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si pjesë e procesit të filluar më 2013.
Madje, këtë dorëzim, Surroi e quan fitore të dyfishtë.
“Drafti i “Asociacionit” duhet të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si pjesë e procesit të filluar më 2013. Do të ishte fitore e dyfishtë, po qe se ky veprim është pjesë edhe e konsensusit politik në Kosovë” – ka shkruar Surroi.
Surroi ka shpejguar dy muret me të cilat, sipas tij, përballen Kosova.
“Muri i parë është se Kosova nuk mund të bëjë veprime, sepse Asociacioni është pjesë e negociatave të ndërlikuara të lehtësuara nga BE , negociata të cilat nuk kanë një Marrëveshje të nënshkruar nga të dy palët (Kosova a Serbia) apo të pranuar në çfarëdo forme në tërësinë e saj. Muri i dytë është se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si “pacta sunt servanda”, përmbushje e obligimeve të marra në negociata të Brukselit që nga viti 2013 e deri më sot” – ka shkruar ai.