Surroi e përdor Chat GPT-në për të kritikuar idenë e Ramës për “shtet bektashi”
Veton Surroi, opinionist i njohur, ka shkruar një artikull në lidhje me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në OKB, ku e përmendi themelimin e shtetit bektashi në Tiranë.
Në artikullin e publikuar në Koha, Surroi e ka komentuar edhe një pjesë tjetër të Ramës, atë në lidhje me Nënë Terezën. Surroi ka shkruar se Nënë Tereza është shenjtëruar për kontributin e saj në Kalkutë të Indisë.
“Nënë Tereza është shpallur si Nënë Tereza e Kalkutës, për akte të cilat siç shpjegoi Papa, që nga momenti kur në Kalkuta mori thirrjen e Krishtit më 1946, merituan kanonizimin e saj. Sipas vetëdeklarimit të Gonxhe Bojaxhiut, vajzës së lindur në Shkup nga dy prindërit shqiptarë të Kosovës, thirrja e parë e Krishtit për të qe gjatë pelegrinazhit te Zoja e Madhe e Kishës së Letnicës në Kosovë, më 1927. Një vit më vonë, sipas rrëfimit të saj, iu përgjigj thirrjes së Krishtit duke shkuar në mesin e Motrave të Loretos në Irlandë, e më pastaj një jetë të tërë në Kalkuta. Në këtë shtjellim faktesh, nuk rezulton që “Shqipëria ia dha botës” Nënë Terezën gjegjësisht Shën Terezën” – ka shkruar Surroi.
Tutje, Surroi ka vlerësuar se “shteti bektashian” është “projekt” në të cilat Rama ka “preferencë vendimmarrje personale”.
“Kështu, Shteti bektashian kështu hyri në vazhdën e projekteve në të cilat kryeministri Rama ka preferencë vendimmarrje personale: si do të duket Teatri, sa kat do të jetë kulla në këtë apo atë lokacion, kush duhet të jetë arkitekti që bën projektin e rezortit të radhës në brigjet e Jonit, cila pjesë e tokës afër Shëngjinit duhet t’i jepet në shërbim shtetit italian për të strehuar azilkërkuesit potencialë afrikanë që nuk patën fatin të arrijnë në brigjet e Italisë...?” – ka shkruar Surroi.
Ndërsa në lidhje me idenë e shtetit bektashi, Surroi e ka pyetur inteligjencën artificiale, të cilin shkrim mund ta lexoni këtu.