Sulstarova i VV-së: Me urë e pa urë, ura mbi Ibër do të hapet
Enis Sulstarova, aktivist i njohur i VV-së nga Shqipëria, ka shkruar ditë më parë një opinion, në të cilin është marrë me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Sipas Sulstarovës, ura mbi Ibër “është bërë simbol i ndarjes së Kosovës në vija etnike”.
Në shkrimin e gjatë të tij, Sulstarova ka kritikuar qasjen e Perëndimit për këtë temë, duke thënë se ajo “trimëron shovenistët në Serbi, aleatët më të ngushtë të Rusisë në Ballkan.
Megjthatë, Sulstarova ka vlerësuar se Kosova nuk mund të pranojë të jetë shtet disfunksional.
“Mirëpo, në krahun tjetër, Kosova nuk mund të pranojë të jetë shtet disfunksional, për të kënaqur tekat e Serbisë. Kosova nuk ka alternativë tjetër, veçse të fuqizojë shtetin ligjor edhe nëse diplomacia perëndimore ndonjëherë nuk e përkrah këtë gjë kur bëhet fjalë për komunat veriore. Kosova nuk ka alternativë veçse të vijojë të kërkojë anëtarësimin në BE, NATO, OKB, Këshillin e Evropës etj., edhe nëse diplomacia perëndimore do ta pengojë këtë proces për hir të interesave që disa fuqi perëndimore kanë me Serbinë. Kosovës i duhet të këmbëngulë në të drejtën e saj si shtet sovran e demokratik, përkundër sjelljes cinike të atyre diplomatëve perëndimorë që mendojnë se popujt e vegjël nuk mund të jenë as të lirë, as sovranë dhe as të vetëqeverisen demokratikisht. Kosova nuk mund të bëhet kurban i krizës së vlerave që ka kapur një pjesë të politikës dhe shoqërisë perëndimore, por Kosova mund të jetë njëra nga pasqyrat ku Perëndimi e shquan qartë krizën e vet. Me urë e pa urë, ura mbi Ibër do të hapet” – ka shkruar ai.