Sulmi ndaj KFOR-it: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi
Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit D.D i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it gjatë trazirave në veri.
Sipas aktakuzës i pandehuri më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.
Prokurori Special ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.