Sulmet e VV-së ndaj Kushtetueses, Dushi i LDK-së: Goditje ndaj demokracisë dhe themeleve të shtetit - NACIONALE

Sulmet e VV-së ndaj Kushtetueses, Dushi i LDK-së: Goditje ndaj demokracisë dhe themeleve të shtetit

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, ka reaguar ndaj kritikave të VV-së kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Ai ka bërë me dije se këto sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese janë goditje ndaj themeleve të demokracisë dhe shtetit të Kosovës.

Sipas tij, këto qëndrime po synojnë të relativizojnë pavarësinë e institucioneve kushtetuese.

“Mendësia autokratike që “synimet e veta politike” i vendos mbi rendin kushtetues përbën rrezik serioz për funksionimin e shtetit të së drejtës. Sulmet e përsëritura ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila vepron ekskluzivisht në mbrojtje të Kushtetutës, nuk janë shprehje e demokracisë, por tentativë për ta nënshtruar rendin kushtetues vullnetit të përkohshëm politik e ideologjik të partisë në pushtet!”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Të inkurajuar nga vota e qytetarëve e cila po interpretohet si mundësi për dominim absolut, e jo si mandat për qeverisje brenda kufijve kushtetues, këto qëndrime po synojnë të relativizojnë pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Një praktikë e tillë minon drejtpërdrejt sigurinë juridike dhe e zhvesh demokracinë nga garancitë e saj themelore – të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të vendit. Në një rend demokratik, shumica qeverisëse nuk është mbi Kushtetutën, as mbi gjykatën që e mbron atë. Çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje këtë parim nuk është vetëm sulm ndaj një institucioni, por goditje ndaj vetë themeleve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, gjë që duhet të kundërshtohet në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet”, ka shkruar ia në profilin e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme