“Stop krizës, ndrysho Kosovën”: Hamza sqaron domethënien e sloganit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka sqaruar domethënien e sloganit të kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kandidati për kryeministër u shpreh se slogani “Stop krizës, ndrysho Kosovën” përcjell disa mesazhe, duke theksuar se vendi po përballet me kriza dhe degradim në sektorë të ndryshëm.
Në emisionin Rubikon, Hamza deklaroi se slogani nënkupton gjithashtu edhe “Stop për Albin Kurtin” dhe “Stop për Lëvizjen Vetëvendosje”.
“Kosova është në një krizë politike. Është në një krizë shoqërore. Ekonomia nuk ka ndonjë performancë të mirë. Kemi një polarizim ekstrem shoqëror, një ndarje të shoqërisë në atë që nëse je me mua i takon dritës, e nëse nuk je me mua i takon errësirës. Unë e di që jo krejt qytetarët e Kosovës i takojnë një subjekti politik. Është shumë më mirë që ka pluralizëm, por edhe ata që nuk janë me mua, e as ata që nuk më votojnë, nuk janë errësira.”
“Ne i kemi thënë stop kësaj krize. Stop emigrimit të të rinjve. Stop degradimit të shëndetësisë, stop degradimit të arsimit, stop tenderave njëburimor… Stop aferave të ndryshme, aferave në energji. Stop Vetëvendosjes, stop Albin Kurtit”, ka deklaruar Hamza.