Stano për kritikat e Kurtit ndaj Lajçakut: Nuk i komentojmë pretendimet e pabaza
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është përgjigjur për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për emisarin special të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Stano i ka cilësuar si “akuza të pabaza” deklarimet e Kurtit për Lajçakun.
“Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë pretendime të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, kryeministri Kurti ka thënë se në takimin e 14 shtatorti, Lajçaku ishte pozicionuar kundër Kosovës.
"Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime.” – ka thënë ndër të tjera Kurti.
