“Sot para 30 vitesh u pagëzuan tri shkronjat e arta: UÇK”
Studiuesi Fitim Salihu doli me një shkrim në tridhjetë vjetorin e pagëzimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në emrin e saj.
“Dita e pagëzimit me tri shkronja të arta është dita kur një popullit të tërë nisi t'i kthehej shpresa, dinjiteti dhe guximi. Me pak ushtarë e pak armatim, por me shumë ëndrra dhe guxim, djemtë dhe vajzat e UÇK-së e shkruan me gjak episodin më madhështor dhe emancipator, që nga 1912-a, të historisë së gjithë popullit shqiptar”, shkroi Salihu.
Postimi i plotë:
Më 17 nëntor 1994, para 30 vjetësh, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) mori vendimin që të emërtonte njësitë e saj luftarake që vepronin në territorin e Kosovës. Vendimi i LPK-së ishte që emri i këtyre njësive të jetë "Ushtria Çlirimtare e Kosovës".
UÇK-ja më vonë do të ishte faktori vendimtar për lirinë e Kosovës dhe kësodore hyri në histori si Ngjarja, me N të madhe, më e lavdishme në historinë e Kosovës.
Dita e pagëzimit me tri shkronja të arta është dita kur një popullit të tërë nisi t'i kthehej shpresa, dinjiteti dhe guximi. Me pak ushtarë e pak armatim, por me shumë ëndrra dhe guxim, djemtë dhe vajzat e UÇK-së e shkruan me gjak episodin më madhështor dhe emancipator, që nga 1912-a, të historisë së gjithë popullit shqiptar.
Madje, UÇK-ja nuk ishte thjesht guerilje. Lufta e saj ishte edhe diplomatike. UÇK-ja e filloi luftën dhe e përmbylli paqen. Krismat e aksioneve të viteve 1991-1993 u kurorëzuan me fitoren politike në Rambuje më 1999 dhe me shpalljen e Pavarësisë më 2008. Sepse, siç thoshte Mishel Fukoja, duke e invertuar shprehjen e famshme të Klauzevicit, "politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera".