Sot mbahet Testi i Maturës në Kosovë
Sot në Kosovë do të mbahet Provimi i Maturës, duke filluar nga ora 10:00, në 55 qendra të testimit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Sipas MASh-it, të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
“Për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës”, ka njoftuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës.