Sot mbahen zgjedhjet në Izrael, Netanyahu mund të kthehet në pushtet
Të martën në Izrael po mbahen zgjedhjet e pesta parlamentare brenda më pak se katër vjetëve. Vendi është ballafaquar me ngërç politik që nga viti 2019 për shkak të rezultateve të ngushta zgjedhore.
Sipas anketave të fundit, të publikuara të premten, ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu mund t’i mungojë vetëm një ulëse për ta formuar shumicën parlamentare, raporton televizioni BBC.
Netanyahu ishte larguar nga pushteti në mesin e vitit të kaluar, kur politikani i qendrës, Yair Lapid, formoi një koalicion të befasishëm me liberalët, të djathtët dhe partitë arabe, që u bashkuan për ta kundërshtuar Netanyahun.
Qeveria qëndroi në pushtet më gjatë se pritjet e shumë analistëve, por përfundimisht ra në qershor.
Lapidi tashmë është kryeministër në detyrë dhe kundërkandidati kryesor i Netanyahut, i cili po garon për mandatin e gjashtë në krye të ekzekutivit.
Ajo që i jep përparësi ish-kryeministrit Netanyahu është një marrëveshje mes partisë së tij dhe partisë së të djathtës ekstreme, Zionizmi Religjioz, që ka shënuar rritje të konsiderueshme të përkrahjes.