Sot Hamzën, nesër Abdixhikun: Kurti nis takimet për zgjedhjen e Presidentit
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Sipas njoftimit, në takim u trajtuan zhvillimet politike në vend dhe më gjerë, si dhe nevoja për hapjen e një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit u theksua si temë kyçe, duke pasur parasysh se, në bazë të afateve kushtetuese, kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë për përmbylljen e këtij procesi. Palët konstatuan se bashkëpunimi është i domosdoshëm, pasi për një votim të suksesshëm kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti falënderoi Hamzën për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar në çështje të interesit shtetëror e kombëtar.
Në kuadër të konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit, Kurti pritet që nesër të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.