Sorensen: Marrëveshja Kosovë–Serbi është zotim ndërkombëtar dhe duhet të zbatohet
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sørensen, deklaroi në Forumin e Dubrovnikut 2026 se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e vlefshme, pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët.
Duke folur në ditën e dytë të forumit, në sallën “Mare”, Sørensen tha se “jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është shumë e qartë: nuk nevojitet nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare të hyjë në fuqi”.
Ai shtoi se BE-ja e konsideron marrëveshjen si “zotim ndërkombëtar të vlefshëm që duhet respektuar”, duke sqaruar se ajo nuk është tekst traktati, por një obligim politik ndërkombëtar i pranuar në kuadër të dialogut.
Sørensen tha se zbatimi ka nisur në disa fusha, veçanërisht për personat e zhdukur, por pranoi se “çështje të mëdha mbeten ende të pazbatuara”.