Sociologu Selaci dënon ashpër gjuhën e Dimal Bashës ndaj RTK-së: “Kërcënim serioz për mediat dhe lirinë e shprehjes”
“Ndaj këtij diskursi të të pushtetshmëve nuk mund të heshtim”, ka thënë sociologu dhe profesori universitar, Gëzim Selaci, pas gjuhës të dënueshme që deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha përdori dje në transmetuesin publik duke e krahasuar atë me Radio Televizionin e Serbisë.
Kjo pasi gazetarja e pyeti rreth asaj çka është thënë nga vetë kancelaria federale gjermane dhe presidenca franceze në komunikata për shtyp: hapa të paprapakthyeshëm dhe konkretë drejt Asociacionit në kontekst dhe ndërlidhje me aplikimin e kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Për sociologun Selaci, gjuha e Bashës “është tentim për të heshtur debatin publik rreth një çështje të debatueshme politike siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Postimi i plotë i Selacit:
DËNOJ ASHPËR gjuhën jopolitike të deputetit të mazhorancës në Kuvendin republikan, Dimal Basha, i cili ngre një paralele midis Radio Televizionit të Serbisë dhe Radio Televizionit të Kosovës. Duket se kjo gjuhë është tentim për të heshtur debatin politik rreth një çështje të debatueshme politike siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që një njeri me pushtet ose deputet sulmon nën brez Radio Televizionin e Kosovës me qëllim për ta denigruar a kërcënuar atë. Mirëpo, kur vjen nga një deputet i mazhorancës dhe i partisë që udhëheq qeverinë, përbën kërcënim serioz për shërbimin informativ publik, për mediat në përgjithësi në vend dhe, rrjedhimisht, për lirinë e fjalës në shoqërinë tonë. Andaj, ndaj këtij diskursi të të pushtetshmëve, nuk mund të heshtim.
Qytetari GS