Smajljaj: Asociacioni prekë edhe gjeneratat e ardhshme
Politologu Avdi Smajljaj ka kërkuar të bëhet kujdes me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se asociacioni do të prekë edhe gjeneratat e ardhshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, Smajljaj ka shkruar se nuk mund të përjashtohet mundësia e ndryshimit të Kushtetutës për të akomoduar Asociacionin.
“Asociacioni prekë edhe gjeneratat pas neve, jo vetëm të tashmën, andaj duhet edhe trajtuar në këtë përspektivë. Ideja se asociacioni do të jetë në përputhje me kushtetutën, ndryshe nuk do të ishtë e logjikshme. Por, kjo nuk e përjashton edhe mundësinë e ndryshimit të kushtetutës për ti bërë vend brenda asociacionit”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese mund të sjellin pasoja për Kosovën.
“Gjatë historisë sonë te re, në zhvillime gjatë periudhave jetike, ndër të tjera ndryshimet kushtetuese në '89, kemi qenë disa herë dëshmitarë të konstatimeve politike se vendi nuk humb gjë nëse bën këtë lëshim apo atë kompromisë. Në fakt, pasojat kanë qenë të pariparueshme”, ka shkruar Smajljaj.