“Skandaloz dhe i papranueshëm”, AGK-ja e dënon ndalimin e kameramanit të “Paparacit” nga rojet e presidentes
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ndalimin e kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji, nga mbrojtja e afërt e presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin për media AGK-ja ka vlerësuar se ky ndalim është arbitrar.
AGK-ja ka kërkuar nga Presidentja Osmani dhe Policia e Kosovës të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj atyre që janë përfshirë në këtë akt.
“Mbrojtja e afërt e Presidentes Osmani ka ndaluar arbitrarisht fizikisht Mujin, i cili po xhironte në një shkollë prívate ku e para e shtetit dërgon dy vajzat e saj. Ai është mbajtur jashtëligjshëm nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt për disa minuta, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshihet xhirimi. AGK-ja e vlerëson skandaloz dhe të papranueshëm ndalimin, dhe kërkon nga Presidentja Osmani dhe Policia e Kosovës të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj atyre që janë përfshirë në këtë akt. Duke respektuar Kodin e Etikës kur janë në pyetje të miturit, mediat dhe gazetarët kanë të drejtë të raportojnë për atë se ku shkollohen fëmijët e krerëve të shtetit, dhe në çfarë kushte”, është thënë në reagimin e AGK-së.