Skadon armëpushimi, Rusia vret 13 njerëz në pjesë të ndryshme të Ukrainës
Trembëdhjetë njerëz janë vrarë dhe të paktën 41 të tjerë u lënduan nga një varg sulmesh me dronë e bomba nga forcat ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës mes së martës dhe të mërkurës, thanë zyrtarët ukrainas.
Më së rëndi u godit rajoni qendror i Dnipropetrovskit, ku tetë njerëz u vranë dhe 11 të tjerë u lënduan të martën. Një viktimë u raportua në rajonin lindor të Donetskut në po atë ditë, raporton televizioni BBC.
Sulmet ruse vazhduan të mërkurën. Tre njerëz u raportuan të vrarë në rajonin perëndimor të Rivnes dhe një tjetër në jug, në Zaporizhia.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 800 dronë ishin hedhur nga Rusia dhe paralajmëroi se mund të pasonte hedhja e raketave.
Në Rusi, zyrtarët thanë se dronët ukrainas goditën tri objekte industriale gjatë natës. Nuk u raportua për viktima.
Sulmet e fundit ndodhën pak kohë pas skadimit të një armëpushimi të hënën vonë. Ky pakt ishte ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Edhe Rusia, edhe Ukraina kishin raportuar për shumë shkelje të armëpushimit, kryesisht përgjatë vijës së frontit, por jo ndonjë sulm të madh ajror.