Siria e shënon 1-vjetorin e rrëzimit të Assadit - NACIONALE

Siria e shënon 1-vjetorin e rrëzimit të Assadit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Sirianët të hënën e shënuan me festë njëvjetorin e rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad dhe sundimit të tij të hekurt. Vendi i përçarë ende ballafaqohet me vështirësi për ta gjetur stabilitetin dhe për ta marrë veten pas luftës së gjatë.

Presidenti i ri, Ahmed al-Shara, tha para një turme të madhe mbështetësish se qeveria e tij “ka paraqitur një vizion të qartë për një Siri të re si një shtet që shikon drejt një të ardhmeje premtuese”, duke e quajtur ndarje historike nga një “kapitull i errët”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Assadi iku në Rusi para një viti, pasi rebelët e Sharaas e morën nën kontroll Damaskun përmes një ofensive 8-ditore në mbarë vendin, duke i dhënë fund pushtetit të tij pas më shumë se 13 vitesh nga kryengritja që u shndërrua në luftë civile.

Sharaa e nisi të hënën me lutjet e mëngjesit në xhaminë “Umayyad” në Damask, i veshur në rroba ushtarake të cilat i kishte pasur në trup si udhëheqës i grupit rebel Hayat Tahrir al-Sham.

Ai premtoi se do të ndërtojë një Siri të drejtë e të fortë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, SANA.

“Nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, me vullnetin e Zotit, ne do të rindërtojmë një Siri të drejtë e të fortë me një strukturë që i përshtatet të tashmes dhe të shkuarës” – deklaroi ai.

Lajme të ngjashme