Sipas BQK-së diaspora dërgoi 1 miliard e 200 milionë euro në Kosovë gjatë 2022
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftur se remitancat e pranuara në Kosovë nga diaspora arritën vlerën prej 1.22miliardë euro, me rritje vjetore prej 6.0%.
“Rritja e ngadalësuar e remitancave gjatë vitit 2022 mund t’i atribuohet deri në një masë, përkeqësimit potencial të pozicionit financiar të diasporës kosovare, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, rritjes së normave të interesit e për pasojë shtrenjtimit të borxhit, dhe dobësimit të kërkesës së përgjithshme në eurozonë”- thuhet në ‘’Raportin e Stabilitetit Financiar’’ të BQK-së, raporton RTKlive.
Sipas këtij raporti, duke qenë se shumica e remitancave vijnë nga vendet e eurozonës, e që thuhet që rritja e tyre ka qenë e ngadalësur përgjatë vitit të fundit, kjo vështirëson pozicionin e ekonomive familjare në vend.
Sa i përket vitit 2023, sipas BQK-së, rreziqet kryesore për stabilitetin financiar në nivel global vazhdojnë të mbesin tensionet e rritura gjeopolitike.
Rrezik tjetër është vazhdimi i shtrëngimit të politikave monetare, që rrezikon të mbaj eurozonën, vendet e rajonit dhe Kosovën në një ambient me aktivitet të dobësuar ekonomik.
“Për vitin 2023, presionet inflacioniste si dhe pasiguritë rreth aktivitetit ekonomik pritet të kenë ndikim në rënien potenciale të kërkesës për kredi dhe shkallën e përgjithshme të ndërmjetësimit financiar”- thuhet në raportin e BQK-së.