Sindikata e "Trafikut Urban" përfundon takimin me Hekuran Muratin "pa rezultat"
Takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me zyrtarin e Vetëvendosjes në Ministri të Financave, Hekuran Muratin, ka përfunduar pa rezultat. Kryesindikalisti Ilmi Gashi deklaroi se diskutimi ishte i pasuksesshëm dhe se zyrtari i VV-së nuk pranoi praninë e stafit të Komunës së Prishtinës në takim.
“Deri në këto momente që po flasim, ndaras kishim takim sepse nuk pranoi stafin e komunës të jetë në takim, vetëm neve shoqatat sindikaliste. Nuk morëm asnjë përgjigje prej ministrit, asnjë premtim prej ministrit se tha nuk është në detyrën time”, tha Gashi. Ai shtoi se e kanë lutur “në gjuhën politike” dhe “me gjuhën popullore” që të hapet “një dritare” për zgjidhje, por ministri u përgjigj se “nuk e kam mundësinë me e bë atë punë”.
Gashi tha se Murati i ka dërguar te kryetari i Komunës, Përparim Rama, duke theksuar se “kryetari është i gatshëm që në çdo kohë të ballafaqohet me ministrin”, por që ministria “nuk na e pranuan ballafaqimin”.
Sipas tij, greva dhe protestat do të vazhdojnë. “Me keqardhje duhet të them për qytetarët e Prishtinës që greva vazhdon nesër e mund të përshkallëzohet”, përfundoi Gashi.