Sibel Halimi: Qeveria duhet të angazhohet për të përfituar nga fondet e BE-së për energjinë - NACIONALE

Sibel Halimi: Qeveria duhet të angazhohet për të përfituar nga fondet e BE-së për energjinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për neglizhencë në raport me krizën energjetike.

Ajo ka përshëndetur veprimin e fundit të BE-së për të mbështetur financiarisht Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për ta kaluar sa më lehtë krizën energjetike.

Halimi ka thënë për gazetën Nacionale se tani Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të përfituar nga këto fonde.

“Edhe pse të gjithë treguesit flasin se po shkojmë drejt një dimri të vështirë; nga Bashkimi Evropian sot erdhën lajme të mira. Unioni, në janar, do të ndajë një pako ndihme në energjetikë për rajonin, në vlerë prej gjysmë miliardi euro dhe po aq - edhe 500 milionë euro tjera, në tri vitet e ardhshme. Këto fonde dedikohen për diversifikimin e kapaciteteve prodhuese, prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike, si dhe masat e efiçiencës së energjisë. Në një kohë kur vendet fqinje i subvencionojnë deri në 70% familjet që vendosin panele solare, Qeveria e Kosovës ka qëndruar si spektatore për dy vite radhazi, duke i lënë qytetarët tanë të vetëm në përballimin e shumë krizave njëherësh, mes tyre edhe krizës energjetike. Tani është koha e reflektimit - rrjedhimisht angazhimit, për të përfituar ne si vend maksimalisht nga këto fonde, të cilat hyjnë në punë nga janari”, ka thënë Halimi.

Lajme të ngjashme