Si nisën mospajtimet e Vjosa Osmanit me LDK-në? Isa Mustafa zbulon detaje
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur në lidhje me largimin e tashmë, presidentes Vjosa Osmani, nga ky subjekt politik ku dikur ishte kandidate për kryeministre.
Mustafa në emisionin “Prizma”, ka deklaruar se me znj.Osmani, kanë pasur mospajtime edhe sa ishte kryeministër, duke përmendur këtu edhe çështjen e demarkacionit.
“Kemi pasë mospajtime me znj.Osmani edhe sa isha kryeministër, por pastaj kryesisht te demarkacioni, sepse edhe kjo pajtohej… Faji do t’i mbetej LDK-së për mosratifikimin e marrëveshjes që e kërkonin SHBA-të dhe NATO-ja, nuk ishte fjala te relacioni ynë me Malin e Zi, por krijimi i kushteve që Mali i Zi të anëtarësohej në NATO”, ka thënë ai.
Tutje, ish-kryeministri i vendit deklaroi se ka pasur përkrahje ndaj njerëzve të rinj, duke përfshirë këtu Vjosa Osmanin, derisa tha se edhe opinioni publik përkrahte kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit.
“Unë jam mundu që të zhvilloj një politikë të bashkëpunimit Brenda LDK-së, që të mos përjashtohet e mos të lehet anash askush. Si LDK ne kemi qenë gjithmonë konsiervativ ndaj hyrjeve dhe ardhjeve të reja…deri diku kanë të drejtë, sepse edhe kundërshtarët e mi më të mëdhenj, kanë qenë ata që unë i kam përkrah në mënyrë më subjektive në LDK”, ka thënë tutje ai.
Në shtator të vitit 2020, Osmani ishte larguar përfundimisht nga LDK-ja, për të arritur më vonë një marrëveshje për qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, ku rrjedhimisht, mori edhe pozitën e presidentes së vendit.
