Shtëpia e Bardhë: Bideni s’planifikon bisedime me Putinin tash për tash, s’ekzistojnë kushtet - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë: Bideni s’planifikon bisedime me Putinin tash për tash, s’ekzistojnë kushtet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, nuk synon që të bisedojë me homologun rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë, sepse tash për tash nuk ekzistojnë kushtet për diskutime të tilla.

“Ne thjesht nuk jemi në një pikë tash, ku bisedimet duket të jenë rrugë e frytshme për ta ndjekur tash për tash”- u tha gazetarëve zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby.

Komentet e tij e vunë në pah hendekun mes Ukrainës e ShBA-së, në njërën anë, e Rusisë, në anën tjetër, për zhvillimin e bisedimeve më shumë se nëntë muaj pas fillimit të pushtimit rus, që ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona të tjerë e ka shkatërruar shumë vendbanime.

Ukraina ka thënë se bisedimet e paqes janë të mundshme, vetëm nëse Rusia i ndal sulmet e saj dhe nëse tërhiqet nga të gjitha territoret ukrainase që i ka pushtuar, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, në anën tjetër, Kremlini ka thënë se Perëndimi duhet ta njohë aneksimin e shpallur në shtator nga Moska të “territoreve të reja” para bisedimeve me Putinin.

“Presidenti i Federatës Ruse ka qenë gjithmonë, është dhe mbetet i hapur për bisedime me qëllim që të sigurohen interesat tona”- tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Lajme të ngjashme