Shqipëria përparon në negociata, Kos: Deri në vitin 2029 Bashkimi Evropian do të ketë anëtarë të rinj
Zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor ka marrë një shtysë të re, me Shqipërinë që vijon të jetë në krye të procesit të integrimit.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po ecën me ritme më të shpejta dhe se, brenda mandatit të saj që përfundon në vitin 2029, pritet të ketë vende të reja anëtare.
Sipas saj, dinamika e zgjerimit ka ndryshuar ndjeshëm dhe vitet në vijim do të jenë vendimtare për vendet kandidate, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten në krye të këtij procesi.
“Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Dhe nëse Islanda i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në një referendum në muajin gusht, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria tani ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave. Pra, lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”.
Komisionerja Marta Kos i bëri këto deklarata gjatë Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e zhvilluar në Gdansk, Poloni.