Shpërthimi i mbrëmshëm në Mitrovicë, prokuroria i jep detaje
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë me dije se ka filluar hetimet për shpërthimin e mbrëmshëm në Mitrovicën e Veriut.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, ka treguar se autori i kësaj vepre kriminale ende nuk është zbuluar.
“Me datë 15 janar 2024 rreth orës 23:52, rrugën Knjaz Millosh në Mitrovicë të Veriut, një person deri tash i paidentifikuar ka hedhur një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, në drejtim të dy viktimave të cilët kanë pësuar plagë trupore”, ka thënë Preteni për "Telegraf".
Më tej, ai ka treguar për pistat e hetimit.
“Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë“, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, ka deklaruar Preteni.