Shpërthim bombe në Afganistan, raportohet për gjashtë të vrarë
Një bombë e vendosur buzë një rruge ka shpërthyer afër një autobusi të mbushur me punëtorë qeveritarë gjatë periudhës së trafikut të ngarkuar të martën në mëngjes në pjesën veriore të Afganistanit, duke lënë të vdekur gjashtë persona, tha një zyrtar taliban.
Mohammad Asif Waziri, zëdhënës i emëruar nga talibanët i komandantit policor të provincës Balkh, tha se nga shpërthimi në kryeqytetin rajonal, Mazar-e Sharif, mbetën edhe shtatë të plagosur, raporton agjencia “Associated Press”.
Bomba ishte vendosur brenda një qerreje pranë rrugës dhe shpërtheu, kur autobusi i departamentit të gazit dhe benzinës po i dërgonte punëtorët në punë.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por filiali rajonal i ISIS-it, rival i talibanëve, i ka shtuar sulmet që nga ardhja në pushtet e talibanëve vitin e kaluar.
Në fotografitë e publikuara në rrjete sociale shihen disa persona të lënduar duke u trajtuar në një spital dhe një autobus i dëmtuar, që po largohej nga vendi i ngjarjes me një kamion.