Shoshi-Musliu:Gërvalla të lëshojë rrugë – është burim i pashterrshëm i skandaleve - NACIONALE

Shoshi-Musliu:Gërvalla të lëshojë rrugë – është burim i pashterrshëm i skandaleve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Shoshi-Musliu, ka reaguar pas raportimit të medieve, se vajza e mitur e Donika Gërvallës, e kreu praktikën tëk ministria që e drejton nëna e saj.

Madje sipas raportimeve, ajo këtë praktikë e kreu pa shkuar fare në institucion.

Për këtë dhe skandalet e tjera, sipas deputetës Shoshi-Musliu, ministrja Gërvalla duhet të lëshojë rrugë.

Postimi i deputetës së PDK-së:

Donika Gërvalla e paska keqpërdorur pozitën si ministre e MPJD-së, asistenten e saj dhe vulën shtetërore për t’ia lëshuar vajzës një certifikatë të praktikës për nevoja të shkollimit në Gjermani. Ndërsa, reagimin për këto abuzime institucionale e kishte sikur të ndonjë tekanjozeje dhe jo të një zëvendëskryeministreje apo ministreje të përgjegjshme.

Nëse një skandal i tillë do të ndodhte në Gjermani, aty ku ajo është rritur, mbrëmja nuk do e zinte më si ministre. Ndërsa, në Kosovë, ministrja Gërvalla edhe po tallet me përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien para qytetarëve.

Çdo ditë po iu qepon diplomatëve, duke e rrënuar politikën e jashtme të ndërtuar me shumë sakrificë plot 14 vjet shtet. Ndërsa, publikimet e skandaleve të saj, po i kategorizon si “qepime” mediale.

Si një deputete e opozitës do të duhej të isha e lumtur që një ministre si Donika Gërvalla është në krye të MPJD-së, pasi që është burim i pashtershëm i skandaleve. Por, nuk jam, sepse e ndjej thellësisht përgjegjësinë institucionale dhe ia dua të mirën shtetin tim, prandaj ministrja Gërvalla duhet të lëshojë rrugë dhe ta lirojë vetë pozitën që po e mban, pasi që nuk është për këtë punë!