Shoqëria civile: Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë, e rrit potencialin e korrupsionit - NACIONALE

Shoqëria civile: Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë, e rrit potencialin e korrupsionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Në një komunikatë të gjatë, organizatat kanë kritikuar këtë vendim duke vlerësuar se ndikon në rritjen e korrupsionit.

“Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i nxjerrë si nga qeveria Haradinaj ashtu edhe nga qeveria Kurti, tanimë ka krijuar pritje legjitime për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e pagave të tyre tanimë është konfirmuar. Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vite e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, edhe Komisioni i Venecias nuk lejon uljen e pagave, përveç në raste specifike që nuk ekzistojnë në situatën aktuale.

“Tutje, Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete. Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se “Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se “Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit”. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se “…ulja dhe rritja e tyre[pagave], është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…”, thuhet në reagim.

“Nisur nga fakti se, siç u tha, gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë. Për arsyet si më lartë, Organizatat e Shoqërisë Civile, i kërkojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, përfundon komunikata.

Lajme të ngjashme