Shkon në gati 600 numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, tha të premten se numri zyrtar i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme në vendin e saj ka shkuar në 589, ndërsa afro 3.000 të tjerë kanë pësuar lëndime.
Duke folur gjatë një vizite në rajonin më të prekur, La Guaira, Rodriguezi tha se në Venezuelë kanë filluar që të arrijnë grupe të huaja të kërkim-shpëtimit, raporton gazeta “The Guardian”.
Më tej, presidentja u zotua për përpjekje që të shpëtohen “sa më shumë njerëz që është e mundshme”. Sidoqoftë, publiku ka shprehur zemërim për atë që po përceptohet si reagim i ngadalshëm nga autoritetet qeveritare.
Të enjten vonë, Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme brenda një kohe të shkurtër. Njëri e pati fuqinë prej 7,2 shkallësh, ndërsa tjetri 7,5.
Një pjesëtar i kërkim-shpëtimit, Diego Gonzalez, tha se iu deshën disa orë duke i larguar rrënojat për ta gjetur kushëririn e tij 34-vjeçar, Helari Rodriguez, nga një bllok banesor në qytezën Catia La Mar.
Të enjten, sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha se, me urdhër të presidentit Donald Trump, ai kishte mobilizuar trupa për “ta mbështetur popullin venezuelas” në këtë kohë nevoje. “Misioni ynë është i qartë: të shpëtojmë jetë dhe të dërgojmë shpejt ndihma kritike aty ku nevojiten më së shumti” – shkroi ai në rrjetin X.