“Shkelje dhe barrë për prindërit”: CorrWatch kritikon vendimin e Ministrisë së Arsimit për librat
Organizata CorrWatch ka reaguar lidhur me vendimin e MAShT që prindërit të subvencionohen për pajisjen me libra për fëmijët e tyre.
Në një reagim publik, kjo organizatë ka theksuar se kjo tregon neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga Ministria.
Postimi:
Për krijimin e praktikave të paligjshme dhe dështimin e Ministrisë së Arsimit në përmbushjen e obligimeve ligjore në furnizimin me tekste shkollore
Iniciativa CorrWatch* shpreh shqetësim publik për procesin e kundërligjshëm, për herë të dytë, të kalimit të obligimeve ligjore për furnizim me tekste shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në subvencione tek prindërit. Ky veprim nuk është vetëm shkelje e detyrimeve ligjore nga MASHTI, por është gjithashtu shkakton një barrë të panevojshme për prindërit, që për më tepër mund të ndikojë në fillimin me kohë të procesit mësimor duke ndikuar negativisht tek nxënësit.
MASHTI, për të dytin vit rradhazi, ka bërë shkelje ligjore pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik, ajo dështoi plotësisht të planifikojë dhe të përmbushë detyrimet e saj, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga ana e ministrisë.
Në planin e prokurimit për vitin 2024 MASHTI kishte planifikuar aktivitetin e prokurimit “Blerja e librave prej klasës 1-9 për vitin 2024/25” me vlerë 9,486,885.00 Euro, një proces i tillë nuk u realizua. Aktiviteti ishte planifikuar të filloj me 28 qershor 2024, mirëpo MASHTI nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për fillimin e procedurave të prokurimit, duke e neglizhuar tërësisht këtë aktivitet të planifikuar. Në vend që të përmbushë obligimin ligjor, MASHTI ka preferuar të ndjekë të njëjtën praktikë të subvencionimit si vitin e kaluar, pa dhënë asnjë arsyetim të bazuar për këtë vendim. Në këtë rast, pyetja për ministrinë do të ishte se si është dëshmuar që kjo mënyrë është e duhura, kur aq më tepër nuk ka një vlerësim zyrtar mbi rrjedhën e procesit të vitit të kaluar.
Projekti CorrWatch "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës" zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.