Shitblerje e narkotikëve: Policia arreston dy persona dhe konfiskon 147.7 gramë kokainë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohen për shitblerje të substancave narkotike.
Pas një pune hetimore, të mërkurën është lokalizuar i dyshuari F. P. në magjistralen Pejë-Prishtinë, i cili ishte në një veturë.
Pas kontrollit, në veturën dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen dy të dyshuar dhe konfiskohen 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë
Prishtinë, më 16 korrik 2026
Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), Prishtinë, kanë trajtuar një rast rreth dyshimit se një i dyshuar është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike. Pas një pune operative-hetimore, më 15.07.2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari F. P. (i lindur më 1992, mashkull kosovar), i cili ishte në një veturë.
Në veturë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë, si dhe dëshmi të tjera relevante lidhur me rastin. Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar.
Po ashtu, është bastisur edhe shtëpia e një të dyshuari tjetër, Q. K. (i lindur më 1993, mashkull kosovar), por nuk është gjetur asgjë e ndaluar.
Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.