ShBA-ja thotë se Kina mund ta shfaqë forcën, nëse Pelosi e viziton Tajvanin
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Kina mund t’i kundërpërgjigjet me provokime ushtarake vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi.
Zëdhënësi John Kirby tha se në provokime mund të përfshihen hedhja e raketave afër Tajvanit ose aktivitetet e gjera ajrore ose detare.
Të martën, zonja Pelosi arriti në Malajzi si pjesë e udhëtimit të saj nëpër Azi. Mediet amerikane e tajvaneze raportuan se ajo planifikon që ta vizitojë Taipei-n të martën në mbrëmje, por për këtë nuk ka pasur konfirmim zyrtar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të martën, kryeministri i Tajvanit, Su Tseng-chang, tha se vendi i tij “mirëpret ngrohtësisht” secilin mysafir.
Tajvani është ishull vetëqeverisës, por Kina e cilëson atë pjesë të territorit të saj. Pekini ka paralajmëruar për “pasoja serioze”, nëse Pelosi e viziton ishullin.