ShBA-ja thotë se Irani ka dërguar ekspertë të dronëve në Krime
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Irani ka dërguar ekspertë ushtarakë në Krimenë e pushtuar nga rusët për të dhënë ndihmë për kryerjen e sulmeve me dronë ndaj Ukrainës.
Një zëdhënës amerikan tha se iranianët në gadishullin e aneksuar nga Rusia më 2014 janë trajnues dhe punëtorë për përkrahje teknike.
Kryeqyteti ukrainas, Kiev, u sulmua me të ashtuquajturit dronë kamikazë të hënën. Dronët u hodhën nga Rusia, por besohet se ishin të prodhimit iranian, raporton televizioni BBC.
Mbretëria e Bashkuar u ka vendosur sanksione bizneseve dhe individëve iranianë që janë përgjegjës për furnizimin e Rusisë me këta dronë.
“Ne vlerësojmë se personeli ushtarak iranian ishte në terren në Krime dhe i asistoi Rusisë në këto operacione”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby.
Ai shtoi se një numër relativisht i vogël i iranianëve po ofrojnë përkrahje teknike, ndërsa rusët po i çojnë dronët drejt Ukrainës.
“Teherani tash është drejtpërdrejt i angazhuar në terren dhe përmes ofrimit të armëve që po i prekin civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë”, tha Kirby.