ShBA-ja ndan 400 milionë dollarë shtesë për ndihma ushtarake për Ukrainën - NACIONALE

ShBA-ja ndan 400 milionë dollarë shtesë për ndihma ushtarake për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten për ndarjen e një pakoje të re të ndihmave ushtarake me vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, përderisa Kievi po has në vështirësi për t’i sprapsur përparimet e trupave ruse në rajonin verilindor të Kharkivit.

Ky është grupi i tretë i ndihmave për Ukrainën që nga miratimi i fondeve shtesë nga Kongresi në fund të prillit pas disa muajve ngërç. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi të enjten se vendi i tij po ballafaqohet me një “situatë vërtet të vështirë” në lindje, por shtoi se një dërgesë e re armësh amerikane po vinte. “Ne do të jemi të aftë për t’i ndalur ata [rusët]” – premtoi ai.

Në pakon e re përfshihet sistemi raketor HIMARS dhe raketa për të, si dhemunicione për sistemet “Patriot” dhe NASAMS, artileria, municioni kundërajror e kundërtank dhe një varg automjetesh të blinduara, raporton agjencia "Associated Press".

Përpos këtyre armëve, në pako ka edhe barka patrulluese, municione për demolim, raketa të shpejta kundër rrezatimit, pajisje mbrojtëse, pjesë rezervë e pajisje të tjera.

Gjithashtu të premten, Departamenti i Shtetit i ShBA-së miratoi një shitje të propozuar urgjente të sistemit HIMARS në Ukrainë për rreth 30 milionë dollarë. Departamenti i Shtetit tha se Ukraina ka kërkuar që të blejë tri njësi të këtij sistemi, që do të financohen nga Qeveria e Gjermanisë.

Lajme të ngjashme