ShBA-ja miraton ndihma të reja ushtarake deri në 675 milionë dollarë për Ukrainën
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të enjten se presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën me vlerë deri në 675 milionë dollarë.
Zyrtari i lartë amerikan tha në fillim të takimit me homologë nga vendet aleate në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani se Bideni e miratoi pakon më të re të ndihmave të mërkurën, shkruan “Associated Press”.
Austin tha se në pakon e re përfshihen obusë, municion i artilerisë, autoambulanca të blinduara, sisteme kundër armëve e pjesë të tjera.
“Lufta është në një moment tjetër kyç”, tha sekretari amerikan, kur forcat ukrainase kanë nisur një kundërsulm në jug të vendit. “Tash po e shohim suksesin e demonstrueshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta në fushëbetejë”, shtoi ai.
“Fytyra e luftës është duke ndryshuar dhe po ndryshon edhe misioni i këtij grupi të kontaktit”, tha më tej Austin në takimin e Grupit të Kontaktit të NATO-s për Mbrojtjen e Ukrainës, ku mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.